Stomatologët e sektorit publik të përfshihen në listat e kompenzimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës

Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) mbështet shqetësimet e anëtarëve të saj në lidhje me trajtimin diskriminues ndaj tyre për shkak të mosrealizimit të shtesave të pagave gjatë ushtrimit me rrezik të profesionit në përballje me COVID-19.

Me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të anëtarëve të saj, OSK insiston që stomatologët, si pjesë përbërëse e sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës, dhe duke u bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të trajtohen si kategori me rrezik të drejtëpërdrejtë nga infektimi me shkaktarin e sëmundjes CoViD-19.

Ky trajtim duhet të merret parasysh edhe gjatë hartimit të listave për kompenzimin plotësues që Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar t’iu paguajë punëtorëve shëndetësorë nga sektori publik. Duke qenë se anëtarët e OSK-së nga sektori publik kanë ofruar shërbime të kujdesit stomatologjik gjatë tërë periudhës së pandemisë, OSK apelon te organet vendimmarrëse që stomatologët të trajtohen sikurse të gjithë punëtorët tjerë shëndetësorë të angazhuar gjatë kësaj periudhe.

Oda e Stomatologëve kërkon që në asnjë rast reagimi i saj të mos keqkuptohet si reagim ndaj profesionistëve tjerë shëndetësorë, por konsideron se pagesat e shtesave të stomatologëve si profesionistë shëndetësorë është e domosdoshme, pasi të njëjtit janë në ushtrim të veprimtarisë me leje të Qeverisë së Kosovës dhe në përballje me pacientë potencialisht bartës të COVID-19.