20 Mars – Dita Botërore e Shëndetit Oral 2026

Çdo vit, më 20 mars, bota bashkohet për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të kontribuar në uljen e sëmundjeve të gojës dhe dhëmbëve, të cilat prekin miliona njerëz dhe përbëjnë barrë për sistemet shëndetësore dhe ekonomike. Qëllimi i kësaj dite është të fuqizojë njerëzit me njohuri, aftësi dhe vetëbesim për t’u kujdesur për shëndetin e tyre oral, si pjesë e pandashme e shëndetit të përgjithshëm.

Dita Botërore e Shëndetit Oral është iniciativë e Federatës Botërore të Stomatologjisë, me synimin për të arritur shëndet oral optimal për të gjithë. Në kuadër të kësaj nisme, tema e fushatës për vitet 2024–2026 është:

  • “NJË GOJË E SHËNDETSHME… NJË JETË E LUMTUR”

Kjo fushatë përcjell disa mesazhe kyçe: rreth 3.5 miliardë njerëz në botë preken nga sëmundjet e gojës dhe dhëmbëve; shëndeti oral është thelbësor për mirëqenien dhe cilësinë e jetës; dhe nuk mund të jeni plotësisht të shëndetshëm pa një shëndet të mirë oral. Një gojë e shëndetshme ju mundëson të flisni, të buzëqeshni, të ndjeni shije dhe aroma, të përtypni dhe të shprehni emocione pa dhimbje apo shqetësim.

Në këtë kontekst, me rastin e kësaj dite, Oda e Stomatologëve të Kosovës rikujton rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin e gojës dhe dhëmbëve. Shëndeti oral nuk është vetëm çështje estetike, por një faktor kyç për mirëqenie, vetëbesim dhe cilësi më të mirë jete.

Parandalimi mbetet elementi më i rëndësishëm: higjiena e rregullt dhe kontrollet periodike te stomatologu janë thelbësore për të shmangur sëmundjet e gojës dhe dhëmbëve. Prandaj, ftojmë të gjithë qytetarët që të kujdesen çdo ditë për shëndetin e tyre oral, duke ndjekur praktika të shëndetshme dhe duke kërkuar këshilla profesionale.

Së bashku, të kontribuojmë për një shoqëri më të shëndetshme.