Takim institucional ndërmjet Odës së Stomatologëve të Kosovës dhe Fakultetit të Mjekësisë

Sot, më 15 tetor 2026, Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Prof. Dr. Blerim Kamberi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në një takim pune Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Sefedin Muçaj, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy institucioneve, në frymën e Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2023, si dhe për mundësitë e zgjerimit dhe avancimit të këtij bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin për vazhdimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit institucional, me theks të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore, publikimin e punimeve profesionale dhe shkencore në Revistën e Stomatologëve të Kosovës, si dhe bashkëpunimin në procesin e akreditimit të aktiviteteve profesionale dhe shkencore në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP), të organizuara nga Fakulteti i Mjekësisë.
Në këtë takim u theksua gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të aktiviteteve akademike, shkencore dhe profesionale, me qëllim të avancimit të njohurive, zhvillimit profesional të stomatologëve dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor oral.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan që në një të ardhme të afërt të përtërijnë Memorandumin e Bashkëpunimit, duke e përshtatur atë me nevojat dhe prioritetet aktuale të të dy institucioneve.