Njoftim
Sot me datë 24.03.2026, u mbajt mbledhja e Kuvendit të Odës së Stomatologëve të Kosovës, në të cilën u diskutuan dhe u miratuan disa çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e Odës.
Ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishin:
- Miratimi i Raportit njëvjeçar (janar–dhjetor 2025) të punës së organeve të OSK-së;
- Miratimi i raportit financiar për vitin 2025;
- Prezantimi i raportit të auditorit për auditimin financiar dhe funksional të OSK-së për vitin 2025.
Po ashtu, Kuvendi mori vendim për themelimin e Komisionit Profesional të Ekspertëve, me qëllim hartimin e një Opinioni Profesional mbi kompetencat e stomatologëve në trajtimet estetike në rajonin perioral dhe oro-facial.
Qëllimi i këtij opinioni është: të analizojë kornizën ligjore në Republikën e Kosovës lidhur me kompetencat e stomatologëve; të shqyrtojë praktikat ligjore dhe profesionale në vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian; të vlerësojë nëse dhe në çfarë kushtesh mund të konsiderohet përfshirja e stomatologëve në trajtime estetike jo-kirurgjikale.
Në këtë kontekst, Oda do të:
- japë opinion profesional për Ministrinë e Shëndetësisë;
- propozojë standarde profesionale dhe trajnim të detyrueshëm;
- kontribuojë në hartimin e akteve nënligjore për rregullimin e kësaj fushe.
Kryetari i Odës Prof. Dr. Blerim Kamberi poashtu njoftoi Kuvendin për hartimin e Udhëzuesit për menaxhimin e emergjencave mjekësore në praktikën stomatologjike, nga ekspertë të fushave përkatëse, duke theksuar se ky udhëzues do t’u shërbejë stomatologëve si mbështetje praktike në menaxhimin dhe reagimin ndaj emergjencave të mundshme mjekësore në praktikën e tyre klinike. Udhëzuesi së shpejti do të publikohet dhe do të jetë i qasshëm në formë elektronike në uebfaqen zyrtare të Odës.
Kuvendi vlerësoi se këto vendime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt avancimit të profesionit dhe sigurimit të standardeve të larta në praktikën stomatologjike në Republikën e Kosovës.
