Pjesëmarrja e Odës së Stomatologëve të Kosovës në Expodental Meeting 2025 – Rimini, Itali
Me ftesë zyrtare të Presidentit të Unionit të Industrisë Dentare Italiane (UNIDI), z. Fabio Velotti, Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Prof. Dr. Blerim Kamberi, së bashku me Dr. Bleron Faiku, koordinator për marrëdhënie me jashtë, morën pjesë në ngjarjen ndërkombëtare Expodental Meeting 2025, e cila u zhvillua nga 15 deri më 17 maj 2025 në Rimini, Itali.
Gjatë qëndrimit në Rimini, realizuam një takim zyrtar me presidentin z. Fabio Velotti, me të cilin u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe për përfshirjen e Kosovës në rrjetet ndërkombëtare të zhvillimit të teknologjive dhe inovacioneve dentare. Gjithashtu patëm rastin të takohemi dhe të bashkëbisedonim me përfaqësues të komunitetit biznisor dentar nga vende të ndryshme të Evropës, duke përfshirë kompani prodhuese dhe distributore të pajisjeve dhe materialeve stomatologjike, të interesuara për bashkëpunim dhe shkëmbim profesional me sektorin dentar në Kosovë.
Pjesëmarrja në Expodental Meeting 2025 konfirmon angazhimin e Odës së Stomatologëve të Kosovës për të fuqizuar bashkëpunimin ndërkombëtar, për të ndjekur zhvillimet më të fundit në fushën e stomatologjisë, si dhe për të krijuar ura të reja komunikimi mes profesionistëve dhe industrisë dentare nga Kosova dhe Evropa.