Vihet gurthemeli i ndërtesës së përbashkët të OPSH-ve
Oda e Stomatologëve të Kosovës njofton anëtarësinë e saj se sot, më 13 janar 2026, u mbajt ceremonia solemne e vënies së gurthemelit të ndërtesës së përbashkët të Odave të Profesionistëve Shëndetësorë (OPSH), një projekt i rëndësishëm dhe i shumëpritur për komunitetin profesional shëndetësor në Kosovë.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë dhe diplomatikë, përfshirë Ambasadorin e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, z. Eric Dietz, ministrin e Shëndetësisë, z. Vitia, kryetarin e Kryeqytetit të Kosovës, z. Rama, kryetarët e OPSH-ve, përfaqësues dhe anëtarë të Odave respektive, si dhe mysafirë të ftuar.
Oda e Stomatologëve të Kosovës shpreh falënderim të veçantë për Qeverinë e Luksemburgut, për donacionin e dhënë për ndërtimin e kësaj ndërtese, mbështetje kjo vendimtare për realizimin e projektit. Po ashtu, falënderojmë Kryeqytetin e Kosovës dhe kryetarin e tij për dhënien e parcelës për ndërtim, si dhe për përkrahjen institucionale dhe dokumentacionin e nevojshëm.
Një mirënjohje e posaçme i drejtohet kryetarit të OMK-së, z. Pleurat Sejdiu, iniciator i këtij projekti dhe promotor i aktiviteteve që çuan në realizimin e tij.
Ky projekt është dëshmi se, kur ekzistojnë vullneti, bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë, edhe projektet e planifikuara prej kohësh mund të realizohen me sukses. Le të shërbejë kjo ndërtesë si simbol i unitetit profesional dhe si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të mëtejmë të sistemit shëndetësor në Kosovë
