Bashkëpunimi ndërmjet Odës së Stomatologëve të Kosovës me Odën e Stomatologëve të Kroacisë, Odën e Stomatologëve të Maqedonisë së Veriut dhe Urdhrin e Stomatologut Shqiptar

Me 22 Nëntor 2019 me ftesë të Kryetarit të Odës së Stomatologëve të Kosovës për një vizitë pune ishte delegacioni i Odës së Stomatologëve të Kroacisë ne krye me Kryetarin e saj Dr. Hrvoje Pezo. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe shumë miqësore në ambientet ku u mbajt Konferenca e Katërt Stomatologjike. Prof. Dr. Blerim Kamberi e njoftoi homologun e tij lidhur me proceset në të cilat është duke kaluar OSK-ja, me tema kyçe të cilat kanë të bëjnë me organzimin e saj, proceset e anëtarësimit, licencimit e me theks të veçantë në format e edukimit të vazhdueshëm profesional. Po ashtu u kërkua nga homologu që të ndihmojë në anëtarësimin e OSK-së në organizata ndërkombëtare, dhe konkretizimin e bashkëpunimit të dy odave përmes një mermorandumi.

Kryetari Pezo e njoftoi homologun e tij të OSK-së mbi sfidat në të cilat ka kaluar Oda e Stomatologëve të Kroacisë. Gjatë takimit Dr. Pezo ofroi eksperiencën e tij profesionale dhe të Odës e cila do t’i shërbejë OSK-së një si një përvojë e mirë e një shteti të BE-së në hartimin e rregulloreve dhe akteve tjera me të cilin do të sigurohej funksionimi efikas dhe profesional i OSK-së. Të dy përfaqësuesit e odave përkatëse u dakorduan për përfaqësim të përbashkët  ndërkombëtar për mbrojtjen e intersave të të dyja odave, dhe për shkëmbimin e koordinuar të ligjëruesve të dyjave vendeve gjatë aktiviteteve të edukimi të vazhdueshëm profesional.

Kryetari i OSK-së Prof. Dr. Blerim Kamberi po ashtu priti në një takim edhe Kryetarin e Këshillit Drejtues të Odës së Stomatologëve të Maqedonisë së Veriut, Dr. Mirlind Selimi me ç’rast u bisedua për çështjet që janë në interest të përbashkët për të dy odat. Njëherit, Dr. Selimi e ftoi zyrtarisht kryetarin Kamberi për një vizitë pune në Odën e Stomatologëve të Maqedonisë së Veriut.

Një takim tjetër të rëndësishëm në kuadër të Konferencës, Kryetari Kamberi e realizoi me Dr. Erion Cerekja, përfaqësues i Urdhërit të Stomatologut të Shqipërisë. Ata u dakorduan që së shpejti të zhvillohet një takim zyrtar në nivel të dy delegacioneve përkatëse me qëllim të harmonizimit të çështjeve me interes të përbashkët.