Takimi me Ministrin e Shëndetësisë Dr. Latifi
Kryetari i OSK-së me bashkëpunëtorë, u takua dje me Ministrin e Shëndetësisë Dr. Latifi dhe Zëvendësminstreshën Dr. Gexha. Fillimisht, Kryetari e informoi Ministrin me një përmbledhje të shkurtër të punëve të realizuara deri më tani në OSK, për aktivitetet që janë në vazhdimësi, si dhe për sfidat e Odës dhe të veprimtarisë stomatologjike në nivel vendi.
Gjatë takimit Kryetari i OSK-së adresoi shqetësimet e ndryshme të cilat i ka pranuar dhe janë brengë e anëtarëve të OSK-së, si: shqiptimi i gjobave nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor për profesionistët shëndetësorë në sektorin privat, mbyllja e ushtrimit të veprimtarisë stomatologjike nga ana e Bordit për licencimin e institucioneve private shëndetësore, vështërsitë në realizimin dhe zhvillimin e programit specialistik në të gjitha fushat e stomatologjisë (kapacitetet e vogla të institucioneve për edukim specialistik, numri i madh i specializantëve, numri i vogël i mentorëve klinik). Po ashtu u ngrit çështja e stomatologëve nga Lugina e Preshevës që janë të ballafaquar me vështërsitë në marrje të licencës dhe lëshimit të faksimilit
Gjatë këtij takimi u ngrit edhe çështja e papunësisë së .stomatologëve në sistemin publik si dhe rishikimi i Udhëzimi Administrativ nr. 08/2017 në mënyrë që edhe specialistët e stomatologjisë të kenë të drejtën ligjore te ushtrojnë profesionin e tyre në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.
Temë tjetër që u bisedua është edhe bartja e kompetencave të përcaktuara në Ligjin për Shëndetësi dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, me theks të veçantë kompetencat në fushën e edukimit specialistik.
Nga ana tjetër Ministri Latifii shprehi gadishmërinë e plotë për një bashkëpunim dhe këshillim profesional me Odën për hartimin e koncept dokumenteve rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me sektorin e stomatologjisë në nivel vendi.