U shënua 50 vjetori i themelimit të Degës së Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës

Sot, në një ceremoni solemne të mbajtur në Fakultetin e Mjekësisë, u shënua 50 vjetori i themelimit të Degës së Stomatologjisë – një ngjarje me rëndësi të veçantë për komunitetin akademik dhe profesional, që shënon një gjysmë shekulli përkushtim në edukimin e shumë gjeneratave, në zhvillimin shkencor dhe në shërbimin shëndetësor në Kosovë.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, profesorë, ish-studentë dhe profesionistë të shumtë të fushës së stomatologjisë. Fjalën përshëndetëse e mbajti Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, i cili vlerësoi kontributin shumëdimensional të kësaj dege në ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe akademike në vend.

Në shenjë vlerësimi, gjatë kësaj ngjarjeje solemne u ndanë mirënjohje për personalitete dhe bashkëpunëtorë të cilët dhanë kontribut të çmuar në të gjitha fazat e zhvillimit të Degës së Stomatologjisë – nga themelimi e deri në ditët e sotme.
Ky jubile na fton të reflektojmë mbi rrugën e kaluar dhe të shohim me besim drejt së ardhmes, duke ruajtur dhe zhvilluar më tej trashëgiminë profesionale dhe akademike të krijuar me përkushtim ndër vite