Thirrje për respektimin e Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Stomatologjike: Ndalimi i reklamimit komercial dhe titujve të rremë
Të nderuar anëtarë,
Oda e Stomatologëve të Kosovës ju njofton për një fenomen shqetësues që është vërejtur kohëve të fundit, e që lidhet me:
1. Reklamimin komercial dhe publikimin e çmimeve në media elektronike, të shkruar, vizive, televizive dhe radiofonike për qëllime përfitimi, dhe
2. Përdorimin e rremë të titujve profesionalë, shkencorë apo akademikë, të cilët nuk janë fituar në përputhje me rregulloret dhe ligjet në fuqi.
Theksojmë se këto veprime janë kategorikisht të ndaluara sipas nenit 68 dhe 60 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Stomatologjike, i cili e rregullon qartë sjelljen profesionale të stomatologëve në Republikën e Kosovës.
Prandaj, OSK fton të gjithë anëtarët që të ruajnë dinjitetin dhe integritetin e profesionit tonë dhe njëherit të raportojnë çdo rast të dyshuar, të mbështetur në fakte, pranë organeve kompetente të OSK-së. Kjo përfshin edhe rastet ku dyshohet se praktika stomatologjike ushtrohet në mënyrë joprofesionale ose në kundërshtim me normat e etikës dhe deontologjisë stomatologjike.
Angazhimi ynë i përbashkët për respektimin e standardeve profesionale është themelor për mbrojtjen e pacientëve dhe ruajtjen e reputacionit të profesionit tonë.
Me respekt,
Oda e Stomatologëve të Kosovës