U mbajt Kuvendi i Odës së Stomatologëve të Kosovës – Miratohet Statuti i ri i OSK-së
Dje, më 29 tetor 2026, u mbajt mbledhja e Kuvendit të Odës së Stomatologëve të Kosovës, në të cilën u shqyrtua dhe u miratua versioni përfundimtar i Statutit të OSK-së, i harmonizuar me opinionet ligjore të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kryetari i OSK-së, Prof. Dr. Blerim Kamberi, i njoftoi anëtarët e Kuvendit se, në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, janë harmonizuar dispozitat përkatëse të Statutit të miratuar më 9 dhjetor 2025. Teksti i rishikuar iu paraqit Kuvendit për shqyrtim dhe miratim përfundimtar, në përputhje me kompetencat e tij ligjore.
Pas shqyrtimit, Kuvendi miratoi njëzëri Statutin e ri të Odës së Stomatologëve të Kosovës.
Miratimi i Statutit të ri përbën një hap të rëndësishëm në fuqizimin institucional të OSK-së, duke siguruar një bazë më të qartë juridike dhe organizative për funksionimin e organeve të saj, avancimin e qeverisjes institucionale dhe përfaqësimin e interesave të komunitetit stomatologjik.
Në vijim të punimeve, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi gjithashtu Raportin gjashtëmujor të punës së organeve të OSK-së, si dhe Raportin financiar për periudhën janar–qershor 2026.
