KRYETARI I ODËS SË STOMATOLOGËVE TË KOSOVËS MORI PJESË NË AKADEMINË SOLEMNE PËR 30-VJETORIN E ODËS SË STOMATOLOGËVE TË MAQEDONISË 

Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të Odës së Stomatologëve të Maqedonisë, më 12 qershor 2026, Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Prof. Dr. Blerim Kamberi, mori pjesë në Akademinë Solemne të organizuar në këtë jubile të rëndësishëm për komunitetin stomatologjik të rajonit.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Kryetari i OSK-së u prit nga Kryetari i Odës së Stomatologëve të Maqedonisë, Prof. Dr. BlagojaDastevski. Në takimin ndërmjet dy homologëve u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm institucional, si dhe lidhjet profesionale dhe miqësore ndërmjet stomatologëve të dy vendeve, duke theksuar se këto marrëdhënie do të vazhdojnë të forcohen edhe më tej në të ardhmen.

Bashkëbiseduesit konstatuan se sfidat me të cilat përballet profesioni i stomatologut janë të përbashkëta, por po aq të përbashkëta janë edhe mundësitë për zhvillim, inovacion dhe ngritje të standardeve të kujdesit stomatologjik në rajon. Në këtë frymë, u riafirmua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit profesional dhe shkencor ndërmjet dy odave.

Në shenjë të bashkëpunimit të shkëlqyer dhe marrëdhënieve të ndërtuara ndër vite, Kryetari i Odës së Stomatologëve të Maqedonisë, i ndau Odës së Stomatologëve të Kosovës një mirënjohje të veçantë.

Në kuadër të kësaj akademie solemne, Kryetari I OSK-së zhvilloi takime edhe me kryetarët e odave stomatologjike nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria. Këto takime shërbyen si një mundësi e mirë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave të reja, si dhe për shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në funksion të avancimit të profesionit të stomatologjisë.