Fjala e kryeredaktores
AUTOR(ËT)
Donika Bajrami Shabani
ABSTRAKT
Të nderuar kolegë, studiues dhe profesionistë të shëndetit oral,
Me kënaqësi ju prezantojmë numrin më të ri të Revistës së Odës së Stomatologëve të Kosovës. Në këtë numër, lexuesit do të njihen me tema aktuale dhe me interes profesional, përfshirë rehabilitimin multidisiplinar të pacientëve me periodontit të avancuar, vlerësimin e vetive mekanike të materialeve moderne restauruese, si dhe zhvillimet bashkëkohore në përdorimin e aparateve orale për trajtimin e apnesë obstruktive të gjumit. Gjithashtu, numri përfshin punime nga fusha e implantologjisë dhe kirurgjisë orale, me fokus në planifikimin e rehabilitimeve mbi implante dhe analizën e faktorëve që ndikojnë në komplikimet pas nxjerrjes së molarëve të tretë. Një vend të rëndësishëm zënë studimet rreth terapive onkologjike në shëndetin oral, duke theksuar nevojën për kujdes të integruar stomatologjik gjatë dhe pas trajtimit të pacientëve me sëmundje malinje. Përveç artikujve shkencorë, ky numër përfshin edhe përmbledhjet e punimeve të prezantuara në Konferencën e 7-të Ndërkombëtare të Stomatologjisë, të organizuar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës më 17–18 prill 2026 në Prishtinë. Këto përmbledhje paraqesin një pasqyrë të arritjeve dhe trendeve më të reja shkencore të prezantuara nga studiues dhe profesionistë vendas e ndërkombëtarë.
Në emër të Redaksisë, falënderoj autorët për kontributin e tyre shkencor dhe të gjithë bashkëpunëtorët që mundësuan realizimin e këtij numri.
— Prof. Ass. Dr. Donika Bajrami Shabani, Kryeredaktore
DOI
https://doi.org/10.59138/rsk5/1/1
FAQET: 2
