Estetika dhe translucenca e qeramikave dentare CAD-CAM
AUTOR(ËT)
Suela Hoxha, Teuta Pustina-Krasniqi, Fisnik Aliaj
ABSTRAKT
Rritja e kërkesave estetike në stomatologjinë bashkëkohore ka bërë që vetitë optike të materialeve qeramike të marrin një rëndësi të veçantë në arritjen e suksesit estetik të restaurimeve dentare. Ky studim in vitro ka për qëllim të vlerësojë dhe të krahasojë parametrat e translucencës dhe opaleshencës të pesë sistemeve qeramike CAD/ CAM, duke përfshirë tre variante të zirkonit monolitikë dhe një qeramikë hibride të infiltruar me polimer, ndërsa litium disilikati shërben si material referues. Në kuadër të studimit u përgatitën gjithsej 100 mostra drejtkëndëshe (14 × 12 × 1 mm, nuancë A2) nga pesë lloje materialesh të prodhuesit të njëjtë (GC Dental®). Materialet e testuara përfshinin qeramikën hibride CERASMART 270, GC Initial Zirconia Disk me translucencë standarde, zirkonium me translucencë të lartë dhe shumë të lartë, si dhe litium disilikati (LiSi Block, GC) si material referues. Parametrat e translucencës (TP) dhe opaleshencës (OP) u matën me spektrofotometrin Vita Easyshade V. Analizat statistikore u realizuan me ANOVA njëdrejtimëshe dhe testin post hoc të Bonferronit me nivel sinjifikance p < 0.05. Litium disilikati tregoi vlera dukshëm më të larta të translucencës (TP ≈ 21.5), duke demonstruar performancën më të mirë optike krahasuar me materialet e tjera. Qeramika hibride paraqiti vlera mesatare, ndërsa zirkoni monolitik, veçanërisht ajo me translucencë standarde, shfaqi transparencë dhe opaleshencë më të ulët. U konstatuan dallime të rëndësishme statistikore ndërmjet grupeve (p < 0.05). Litium disilikati mbetet materiali me vetitë optike më të favorshme për restaurime me kërkesa të larta estetike. Qeramika hibride mund të konsiderohet alternativë e përshtatshme, ndërsa zirkoni monolitik është më i përshtatshëm për zonat posteriore, ku forca mekanike është më e lartë.
Fjalët kyçe: Qeramika CAD/CAM, translucencë, opaleshencë, CIEDE 2000, litium disilikat.
DOI
https://doi.org/10.59138/rsk4/2/2
FAQET: 55-61
