Revista e Stomatologëve të Kosovës

Roli i mikrodepërtueshmërisë koronale në parandalimin e infeksionit periapikal

AUTOR(ËT)

Miranda Stavileci

 

ABSTRAKT

Suksesi i trajtimit endodontik nuk varet vetëm nga pastrimi dhe mbushja cilësore e sistemit të kanalit të rrënjës së dhëmbit, por edhe nga mbyllja në pjesën koronale pas përfundimit të trajtimit. Obturimi i kanalit ka për qëllim të krijojë një mbyllje sa më hermetike, e cila do të pamundësojë kalimin e mikro-organizmave dhe lëngjeve ndërmjet kavitetit oral dhe indeve periapikale. Megjithatë, edhe një kanal i obturuar mirë mund të rikontaminohet nëse restaurimi koronal nuk është cilësor, apo nëse materiali obturues ekspozohet ndaj pështymës. Mikrodepërtueshmëria koronale nënkupton kalimin e mikroorganizmave, lëngjeve orale, joneve dhe molekulave nëpër mikro-hapësirat ndërmjet mureve të dhëmbit dhe materialit restaurues. Ky fenomen mund të ndodhë për shkak të vonesës në vendosjen e restaurimit definitiv koronal, frakturës së restaurimit, kariesit sekondar, ekspozimit të tubulave të dentinës, apo edhe gjatë përgatitjes së hapësirës për kunjin intrakanalikular. Kur bakteret ri-depërtojnë përsëri në sistemin e kanalit të rrënjës, ato mund të arrijnë deri në regjionin apikal dhe të shkaktojnë infeksion periapikal. Prandaj, parandalimi i mikrodepërtueshmërisë koronale është një faktor shumë i rëndësishëm për suksesin afatgjatë të terapisë endodontike.
Fjalët kyçe: mikrodepërtueshmëri koronale, rikontaminimi endodontik, obturimi i kanalit të rrënjës, restaurimi koronal, infeksioni periapikal.

DOI

https://doi.org/10.59138/rsk5/1/4

 

FAQET: 17-23