Bashkëpunim ndërinstitucional i OSK-së gjatë Kongresit të 29-të Ndërkombëtar të Stomatologjisë në Stamboll
Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Prof. Dr. Blerim Kamberi me bashkëpunëtorë, mori pjesë në Kongresin e 29-të Ndërkombëtar të Stomatologjisë, të organizuar nga Shoqata e Stomatologjisë e Turqisë, në bashkëpunim me Odën e Stomatologëve të Stambollit, i cili u mbajt nga 1 deri më 4 tetor 2026.
Kongresi i këtij viti kishte një rëndësi të veçantë, pasi u zhvillua në kuadër të shënimit të 40-vjetorit të Shoqatës së Stomatologjisë të Turqisë, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve profesionale, ekspertë dhe profesionistë të stomatologjisë nga vende të ndryshme.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, Prof. Dr. Blerim Kamberi realizoi takim me Kryetaren e Odës së Stomatologëve të Stambollit, Prof. Dr. Olcay Şakar, me të cilin u diskutua për vazhdimin dhe
avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta profesionale dhe shkencore, si dhe në krijimin e mundësive të reja për shkëmbim të
përvojave ndërmjet dy odave.
Po ashtu, Kryetari i OSK-së zhvilloi takim me Kryetarin e Shoqatës së Stomatologjisë të Turqisë, Dr. Fatih Güler. Në takim u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve, si dhe u vlerësua përkrahja e vazhdueshme që Shoqata e Stomatologjisë e Turqisë i ka dhënë OSK-së ndër vite.
Pjesëmarrja e OSK-së në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare dhe takimet e zhvilluara me drejtuesit e institucioneve partnere dëshmojnë për përkushtimin e Odës në fuqizimin e
bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe krijimin e mundësive të reja në funksion të avancimit të profesionit stomatologjik në Kosovë.
