Ka nisur punimet Konferenca e Shtatë Ndërkombëtare e Stomatologjisë e organizuar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Shoqata e Antropologjisë Stomatologjike.
Në këtë konferencë me titull “Konceptet moderne në stomatologji, Antropologjia dhe stomatologjia forenzike”, do të marrin pjesë ligjërues vendor dhe ndërkombëtarë nga disa vende të botës si Brazili, Portugalia, Turqia, Kroacia, Italia.
Kryetari i OSK-së Prof. Dr. Blerim Kamberi tha se tema e sivjetme reflekton zhvillimet shkencore dhe stomatologjike në vitet e fundit.
“Konferenca të tilla krijojnë mundësi të çmuara për shkëmbimin e përvojave në mes profesionistëve të stomatologjisë, për të krijuar ura të bashkëpunimit dhe për të forcuar lidhjet në nivel rajonal e ndërkombëtar”, ka thënë Kamberi.
Kamberi ka njoftuar se OSK duke pasur për mision mbrojtjen dhe avancimin e rolit të stomatologëve ka ndërmarr hartimin e udhëzuesit për menaxhimin e emergjencave stomatologjike duke u bazuar në udhëzimet e organizatave ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor.
“Përmes këtij udhëzuesi synohet përmirësimi i sigurisë së shërbimeve ndaj pacientëve, si dhe mbrojtjes juridike ndaj stomatologëve. Ky udhëzues do të publikohet dhe do të zbatohet në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private”, ka thënë Kamberi.
Konferencën e ka përshëndetur edhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Sefedin Muçaj. Ai tha se nevoja për themelimin e Fakultetit të Stomatologjisë është e domosdoshme dhe kjo nuk do të jetë ndarje sepse ky institucion do të jetë nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës.
Konferencën e përshëndetën me një fjalë rasti edhe drejtori i Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës Mirsad Shkreta, dhe përfaqësuesit e organizatave të stomatologëve në Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci.

