Një epokë e re për Ditën Botërore të Shëndetit Oral: përmbyllja e fushatës trevjeçare “Një gojë e shëndetshme është…” dhe përgatitjet për periudhën 2027–2029

Me përmbylljen e fushatës “Një gojë e shëndetshme është…”, Federata Botërore e Stomatologjisë – FDI po përgatitet të prezantojë një fushatë të re trevjeçare për Ditën Botërore të Shëndetit Oral, gjatë Kongresit Botëror të Stomatologjisë në Pragë. Në vijim paraqiten ndikimi i fushatës që po përfundon dhe pritshmëritë për periudhën e ardhshme.

Ndërsa po përmbyllet një nga ciklet më të suksesshme të fushatës së Ditës Botërore të Shëndetit Oral, një kapitull i ri është gati të fillojë. Në Kongresin Botëror të Stomatologjisë të këtij viti, i cili do të mbahet në Pragë të Republikës Çeke, Federata Botërore e Stomatologjisë do ta prezantojë zyrtarisht fushatën e re trevjeçare të Ditës Botërore të Shëndetit Oral. Ky moment shënon njëkohësisht vlerësimin e rezultateve të arritura dhe fillimin e një lëvizjeje të re, ambicioze, për avancimin e shëndetit oral në nivel global.

Tri vite, një mision i përbashkët

Fushata “Një gojë e shëndetshme është…” u prezantua për herë të parë gjatë Kongresit Botëror të Stomatologjisë në Sidnej, në vitin 2023. Synimi i saj ishte që rëndësia e shëndetit oral të paraqitej në mënyrë të kuptueshme, të drejtpërdrejtë dhe të pamundur për t’u anashkaluar. Përmes tri temave të njëpasnjëshme, fushata trajtoi lidhjet e thella ndërmjet shëndetit oral dhe cilësisë së jetës.

“Një gojë e shëndetshme është një trup i shëndetshëm” (2024) vuri në pah lidhjen ndërmjet shëndetit oral dhe shëndetit të përgjithshëm, duke përfshirë marrëdhënien ndërmjet sëmundjeve periodontale dhe sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe ndërlidhjen ndërmjet patologjive orale dhe diabetit.

“Një gojë e shëndetshme është një mendje e shëndetshme” (2025) e orientoi vëmendjen drejt mirëqenies mendore, duke trajtuar mënyrën se si dhimbja, humbja e dhëmbëve dhe problemet dentare mund të ndikojnë në vetëvlerësim, vetëbesim dhe cilësinë e përgjithshme të jetës.

“Një gojë e shëndetshme është një jetë e lumtur” (2026) i bashkoi këto dimensione, duke promovuar rëndësinë e shëndetit oral në çdo moshë dhe në çdo fazë të jetës. Mesazhi themelor ishte se një gojë e shëndetshme përbën një nga parakushtet për një jetë të plotë dhe cilësore.

Çdo vit i fushatës u mbështet mbi arritjet e vitit paraprak, duke zgjeruar ambicien, shtrirjen dhe ndikimin e saj.

 

Rezultatet e dëshmuara përmes shifrave

Rezultatet e arritura gjatë ciklit trevjeçar ishin të jashtëzakonshme. Fushata pati një shtrirje pothuajse globale, duke përfshirë rreth 220 zona gjeografike në mbarë botën. Në nivel global u raportuan më shumë se 1.500 aktivitete. Në hapësirën digjitale, ndërmjet viteve 2024 dhe 2026, fushata gjeneroi më shumë se 1,19 milion vizita të faqeve dhe afërsisht 105 milionë shikime të përmbajtjeve.

Shkarkimet e materialeve të fushatës u rritën në mënyrë të vazhdueshme nga viti në vit: nga 40.330 shkarkime në vitin 2024, në 55.000 në vitin 2025 dhe në 79.000 shkarkime në vitin 2026. Vetëm gjatë vitit të fundit u shënua një rritje prej 43 për qind.

Edhe shtrirja e fushatës në mediat sociale shënoi rritje të ndjeshme.. Në vitin 2026, përmbajtjet e pub;likuara me etiketat tematike të fushatës në media sociale arritën një shtrirje prej 1,25 miliardë përdoruesish. Njëkohësisht, niveli i angazhimit të publikut i tejkaloi vazhdimisht standardet e zakonshme të sektorit. Fushata e vitit 2026 arriti një normë të përgjithshme angazhimi prej 15%, krahasuar me nivelin referues prej 1–5% që zakonisht shënohet në fushatat e komunikimit shëndetësor me përmasa të ngjashme.

 

Një rol qendror në suksesin krijues të fushatës pati shprehja Toothie (Dhëmbushi), një maskotë në formën e kastorit (një brejtës gjysmëujor} e Federatës Botërore të Stomatologjisë. Dhëmbushi ishte personazhi kryesor i një trilogjie të frymëzuar nga filmat, e realizuar gjatë tri viteve të fushatës dhe e shoqëruar me këngë origjinale, të cilat u përhapën gjerësisht në internet. Vetëm gjatë fushatës së vitit 2026, numri i ndjekësve të Dhëmbushit në Instagram u rrit me më shumë se 3.600 brenda më pak se tre muajve, duke arritur gjithsej 6.423 ndjekës.

Fushata gëzoi gjithashtu mbështetje të vazhdueshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila çdo vit i përforcoi mesazhet e Ditës Botërore të Shëndetit Oral përmes selisë qendrore, zyrave rajonale dhe llogarive të saj në vende të ndryshme.

Pse kjo fushatë është e rëndësishme

Përmasat e kësaj fushate pasqyrojnë përmasat e nevojës globale për përmirësimin e shëndetit oral. Pothuajse 3,7 miliardë njerëz në mbarë botën janë të prekur nga sëmundjet orale, duke i renditur ato ndër sëmundjet jo të transmetueshme më të përhapura në botë. Megjithatë, shëndeti oral vazhdon të jetë i nënfinancuar dhe jo mjaftueshëm i përfaqësuar në politikat dhe agjendat globale të shëndetësisë.

Gjatë tri viteve të fundit, mjedisi i politikave ndërkombëtare për shëndetin oral ka ndryshuar ndjeshëm. Rezoluta e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shëndetin oral, e miratuar në vitin 2021, u pasua nga Plani Global i Veprimit për Shëndetin Oral 2023–2030. Në dhjetor të vitit 2025, Deklarata Politike e Kombeve të Bashkuara për sëmundjet jo të transmetueshme dhe shëndetin mendor shënoi një moment historik, pasi për herë të parë sëmundjet orale u integruan zyrtarisht në agjendën globale për sëmundjet jo të transmetueshme. Dita Botërore e Shëndetit Oral ka shërbyer si një platformë e rëndësishme për ruajtjen dhe fuqizimin e këtij momentumit, duke i shndërruar angazhimet globale në veprime konkrete në nivel kombëtar dhe lokal.

Çfarë pritet në vijim

Prezantimi në Pragë përfaqëson shumë më tepër sesa zbulimin e një teme të re. Ai sinjalizon fillimin e një faze të re të ambicieve të Federatës Botërore të Stomatologjisë për Ditën Botërore të Shëndetit Oral.

Fushata e ardhshme për periudhën 2027–2029 do të përdorë një strukturë narrative të ndryshme nga ajo e fushatës paraprake. Në vend të zhvillimit gradual të temave që lidhin shëndetin oral me shëndetin sistemik, mirëqenien mendore dhe shëndetin gjatë gjithë jetës, siç ndodhi në fushatën “Një gojë e shëndetshme është…”, fushata e re do të sjellë një qasje më të guximshme dhe më të veçantë në komunikimin e mesazhit. Synimi është krijimi i një lëvizjeje të mirëfilltë globale për shëndetin oral gjatë gjithë jetës.

“Ne dëshirojmë të krijojmë një lëvizje për shëndetin oral gjatë gjithë jetës”, deklaroi Dr. Anna Lella, kryesuese e Grupit Punues për Ditën Botërore të Shëndetit Oral. Kjo lëvizje synon të bashkojë publikun, profesionistët e stomatologjisë, ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor, qeveritë, shoqatat kombëtare stomatologjike dhe partnerët rreth një objektivi të përbashkët: vendosjen e shëndetit oral në qendër të prioriteteve globale të shëndetësisë.

Gjatë sesionit të prezantimit në Kongresin Botëror të Stomatologjisë, pjesëmarrësit do të jenë ndër të parët që do të njihen me temën e re të fushatës, objektivat dhe strategjinë e saj. Ata gjithashtu do të informohen për mënyrat e përfshirjes dhe për paketën e plotë të materialeve pa pagesë, të hartuara për ta mbështetur pjesëmarrjen në çdo nivel. Në kuadër të këtij sesioni do të shpallen edhe fituesit e Çmimeve të Ditës Botërore të Shëndetit Oral për vitin 2026.

Për më shumë informacione rreth Ditës Botërore të Shëndetit Oral dhe fushatës së vitit 2027, mund të vizitoni faqen zyrtare http://wohd.org/

Informacionet për Kongresin Botëror Dentar në Pragë janë të disponueshme në faqen http://2026.world-dental-congress.org/