OSK shënoi 10 vjetorin e themelimit të saj

Oda e Stomatologëve të Kosovës me datë 19.12.2023 ka shënuar 10 vjetorin e themelimit të saj në një ceremoni solemne ku të pranishëm ishin kontribues në themelimin e saj, përfaqësues të institucioneve të vendit, doajen të stomatologjisë kosovare si dhe të ftuar tjerë. Në këtë ceremoni ishin present edhe mysafir të ftuar nga Oda e Stomatologëve të Maqedonisë si dhe nga Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë.

Për rrugëtimin e Odës së Stomatologëve të Kosovës gjatë kësaj dekade foli kryetari i saj Prof.Dr. Blerim Kamberi, duke rikujtuar historikun e themelimit të OSK-së, vështirsitë dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar OSK, të arriturat si dhe vizioni i OSK-së.

Kryetari falenderoi dhe shprehu mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në themelimin e OSK-së dhe në sukseset e saj gjatë këtyre dhjetë viteve.

Në këtë ceremoni u bë edhe promovimi i numrit të 4-të të Revistës së Stomatologëve të Kosovës, si platformë e hapur për stomatolog për shkrime profesionale dhe akademike.

Në fund të eventit u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së mirënjohjeve për stomatologët që dhanë kontribut të shquar dhe sakrificat e jashtëzakonshme si profesionist gjatë luftës për pavarësi të Republikës së Kosovës.