Takim i përbashkët i institucioneve stomatologjike të Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë

Gjatë Konferencës së 7-të Ndërkombëtare të Stomatologjisë u zhvillua një takim ndërmjet kryetarëve të Odës së Stomatologëve të Kosovës, prof. dr. Blerim Kamberi, Odës së Stomatologëve të Kroacisë, dr. Hrvoje Pezo, dhe Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë, dr. Almiro Gurakuqi. Ky takim u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, me qëllim të forcimit të lidhjeve profesionale dhe institucionale ndërmjet organizatave përfaqësuese të stomatologëve në rajon.

Gjatë takimit u diskutua për ecurinë e bashkëpunimit të deritanishëm, duke u vlerësuar pozitivisht rezultatet e arritura deri më tani. Palët diskutuan gjithashtu për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të ardhmen, përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, konferencave shkencore, trajnimeve profesionale dhe projekteve që synojnë avancimin e praktikës stomatologjike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve stomatologjike për qytetarët.

Në këtë drejtim, u shpreh vullneti i përbashkët që në një të ardhme të afërt të nënshkruhet një marrëveshje tripalëshe bashkëpunimi, e cila do të përcaktojë forma konkrete të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse dhe do të adresojë çështje me interes të përbashkët për profesionin e stomatologut.
Palët u zotuan të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin e vazhdueshëm, me qëllim realizimin e iniciativave të përbashkëta që do të kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e profesionit të stomatologut në vendet respektive.

Oda e Stomatologëve të Kosovës mbetet e përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim të avancimit të profesionit të stomatologut dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional të anëtarëve të saj.