Revista e Stomatologëve të Kosovës

Vlerësimi i fortësisë së zirkoniumit konvencional dhe monolitik pas sinterimit me protokoll të zakonshëm

AUTOR(ËT)

Genc Rukiqi, Sebahate Hamiti Alidema, Blerta Musliu Krasniqi, Diellona Perolli Shahini, Linda Jani Ukmata, Vjosa Muqolli Rukiqi

 

ABSTRAKT

Zirkoniumi dentar përdoret gjerësisht në restaurimet protetike për shkak të vetive të favorshme mekanike dhe estetike. Avancimet në teknologjinë CAD/CAM dhe protokollet e sinterimit kanë përmirësuar ndjeshëm performancën klinike të këtij materiali. Qëllimi i këtij studimi in vitro ishte të përcaktojë dhe të krahasojë fortësinë e zirkoniumit konvencional dhe monolitik pas sinterimit. Blloqet e zirkoniumit konvencional [Sirona Cercon HT (grupi SK) dhe Orodent Zirconia Bleach (grupi OK)] dhe ato monolitike [Sirona Cercon ML (grupi SM) dhe Orodent Zirconia Venus (grupi OM)] u përpunuan me teknologjinë CAD/CAM për prodhimin e 60 mostrave të kurorave molare. Mostrat u ndanë në katër grupe (n=15): SK, SM, OK dhe OM si dhe u sinteruan në temperaturë 1500°C për 8 orë. Fortësia u vlerësua me Vickers Hardness Tester (VHN), ndërsa analizat statistikore u kryen me testin ANOVA (P<0.05). Rezultatet treguan se fortësia VHN për grupet SK dhe OK ishte 1582.9±115.7 HV dhe 1513.2±129.3 HV, ndërsa për grupet SM dhe OM ishte 1510.1±125.4 HV dhe 1638.4±128.7 HV, me dallime statistikisht të rëndësishme ndërmjet grupeve. Fortësia më e lartë u regjistrua në grupin OM. Në përfundim, të dy llojet e zirkoniumit treguan fortësi të lartë dhe përshtatshmëri për punimet protetike fikse. Megjithatë, zirkoniumi monolitik i prodhuesit Orodent paraqiti vlerat më të larta të fortësisë. Nga aspekti klinik, këto rezultate sugjerojnë se zirkoniumi monolitik mund të ofrojë rezistencë më të lartë ndaj ngarkesave funksionale dhe konsumimit afatgjatë, duke e bërë atë një alternativë premtuese për punimet protetike në zonat me ngarkesë të shtuar okluzale dhe kërkesa të larta funksionale.
Fjalët kyçe: CAD/CAM, fortësia, sinterimi, zirkoniumi konvencional, zirkoniumi monolitik.

DOI

https://doi.org/10.59138/rsk5/1/2

 

FAQET: 4-10