Oda e Stomatologëve të Kosovës ka hartuar Opinionin profesional mbi kompetencat e stomatologëve në fushën e trajtimeve estetike jo-kirurgjikale në rajonin perioral dhe oro-facial

Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK), në kuadër të kompetencave të saj ligjore dhe përgjegjësisë për zhvillimin e profesionit të stomatologjisë, ka hartuar opinionin profesional mbi kompetencat e stomatologëve në trajtimet estetike jo-kirurgjikale në rajonin perioral dhe oro-facial, një dokument profesional që synon të kontribuojë në trajtimin institucional të një fushe në zhvillim, me interes të veçantë për stomatologët dhe sigurinë e pacientëve.
Hartimi i këtij opinioni është ndërmarrë duke pasur parasysh se nga analiza e legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës rezulton se aktualisht nuk ekziston një rregullim specifik që përcakton statusin juridik dhe profesional të procedurave estetike jo-kirurgjikale, përfshirë aplikimin e toksinës botulinike (Botox) dhe mbushësve dermalë, si dhe nuk ekziston një autorizim i shprehur lidhur me kompetencat e stomatologëve për kryerjen e këtyre procedurave apo kushtet profesionale për ushtrimin e tyre.
Duke marrë parasysh zhvillimet bashkëkohore të praktikës profesionale, interesimin në rritje për këto procedura, si dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë, OSK ka vlerësuar të nevojshme hartimin e këtij opinioni profesional, të mbështetur në analizën e legjislacionit vendor, praktikave ndërkombëtare, literaturës profesionale dhe shkencore, si dhe standardeve të sigurisë së pacientit.
Për hartimin e këtij dokumenti, Kuvendi i OSK-së ka emëruar një komision profesional të ekspertëve, të përbërë nga specialistë të fushave përkatëse të stomatologjisë. Komisioni ka analizuar aspektet profesionale, shkencore dhe juridike që lidhen me këtë çështje, ndërsa gjatë procesit të hartimit janë zhvilluar edhe konsultime me profesionistë të fushës dhe grupe të interesit, me qëllim që dokumenti të pasqyrojë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të mbështetur në analiza profesionale, shkencore dhe praktika ndërkombëtare.
Dokumenti trajton në mënyrë të argumentuar:
  • Analizën e legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës;
  • Praktikat dhe modelet ndërkombëtare të rregullimit të procedurave estetike jo-kirurgjikale;
  • Kufijtë anatomikë të kompetencës profesionale të stomatologëve;
  • Arsyeshmërinë profesionale të përfshirjes së stomatologëve në procedura të caktuara estetike jo-kirurgjikale në rajonin perioral dhe oro-facial;
  • Rreziqet dhe komplikimet e mundshme të këtyre procedurave;
  • Rekomandimet për kriteret e trajnimit, zhvillimin e kompetencave profesionale dhe standardet e sigurisë së pacientit;
  • Rekomandimet drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për krijimin e një kornize të qartë ligjore dhe profesionale për rregullimin e kësaj fushe.
Ky opinion nuk synon të zgjerojë kompetencat profesionale të stomatologëve përtej kornizës ligjore ekzistuese, por të ofrojë një bazë profesionale dhe shkencore për institucionet kompetente në procesin e shqyrtimit të mundësisë së rregullimit të procedurave estetike jo-kirurgjikale në Republikën e Kosovës.
Me qëllim që ky opinion të shërbejë si bazë profesionale në procesin e shqyrtimit dhe rregullimit të kësaj fushe, OSK ia ka përcjellë zyrtarisht këtë opinion profesional Ministrisë së Shëndetësisë, për ta përdorur si dokument referues në procesin e hartimit të politikave, akteve nënligjore dhe standardeve profesionale që do të rregullojnë këtë fushë në të ardhmen.
OSK mbetet e përkushtuar të kontribuojë me ekspertizën e saj profesionale në hartimin dhe zhvillimin e politikave, standardeve profesionale dhe akteve rregullatore që lidhen me këtë fushë, me qëllim mbrojtjen e interesit publik, garantimin e sigurisë së pacientëve dhe avancimin e profesionit të stomatologjisë, duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera kompetente.