Kryetari i OSK-së priti në takim delegacionin e TC Medical nga Gjermania
Në kuadër të zhvillimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e shëndetësisë, kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Prof. Dr. Blerim Kamberi, priti sot në takim, në ambientet e OSK-së, një delegacion të kompanisë TC Medical, me seli në Gjermani. Delegacioni përbëhej nga mjekë specialistë dhe profesionistë të njohur të fushave të ndryshme mjekësore dhe stomatologjike, me përvojë në ofrimin e shërbimeve bashkëkohore shëndetësore, zhvillimin e institucioneve klinike dhe aplikimin e teknologjive të avancuara në diagnostikim dhe trajtim.
Pjesë e delegacionit ishte edhe Dr. Mehmet İşlek, profesionist i njohur ndërkombëtarisht për përkushtimin ndaj standardeve të larta profesionale dhe inovacionit në kujdesin shëndetësor stomatologjik. Veprimtaria e tij profesionale përfshin implantologjinë, stomatologjinë estetike dhe digjitale, si dhe krijimin, organizimin dhe drejtimin e klinikave dhe laboratorëve dentarë.
Qëllimi i vizitës ishte krijimi dhe fuqizimi i kontakteve profesionale dhe institucionale, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira, prezantimi i metodave bashkëkohore të trajtimit, si dhe shqyrtimi i mundësive konkrete për bashkëpunim në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta shkencore dhe profesionale, transferimit të njohurive dhe teknologjive, si dhe zhvillimit të projekteve të mundshme investuese në infrastrukturën shëndetësore në Kosovë.
Kryetari i OSK-së, Prof. Dr. Blerim Kamberi, e vlerësoi këtë takim si një mundësi të rëndësishme për krijimin e partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare dhe shprehu gatishmërinë e OSK-së për të mbështetur nismat që kontribuojnë në avancimin e profesionit stomatologjik, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe zbatimin e standardeve bashkëkohore në kujdesin ndaj pacientëve.
Palët shprehën interesimin e ndërsjellë që komunikimi dhe bashkëpunimi të vazhdojnë edhe në të ardhmen, përmes identifikimit dhe konkretizimit të fushave me interes të përbashkët.
