Bashkëpunimi ndërkombëtar i OSK-së
Me dt. 26.shkurt 2020 në Shkup të Maqedonisë Veriore, Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës Prof. Dr. Blerim Kamberi dhe nënkryetari Dr. Ali Gashi u takuan me homologët e tyre nga Maqedonia Veriore, Dr. Marijan Denkovski, kryetar, Prof. Dr. Qenan Ferati, nënkryetar dhe Mirlind Selimi, kryesues i Bordit ekzekutiv. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe shumë miqësore në ambientet e Odës së Stomatologëve të Maqedonisë. Në këtë takim u nënshkrua edhe Marrëveshja e bashkëpunimit, ku të dy palët shprehën vullnetin e tyre për bashkëpunim të qëndrueshëm me interes bilateral, duke e konsideruar të domosdoshëm këtë bashkëpunim për rritjen dhe përmirësimin e standardeve dhe cilësisë së kujdesit dentar. Të dy kryetarët u dakorduan për të shkëmbyer informacione dhe materiale në ato fusha që janë me interes për odat, përfshirë materialin shkencor, përfaqësim të përbashkët ndërkombëtar për mbrojtjen e interesave të tyre, për shkëmbimin e koordinuar të ligjëruesve të dyjave vendeve gjatë aktiviteteve të edukimi të vazhdueshëm profesional si dhe njohjen reciproke të programeve të akredituara.