Dita Botërore e Shëndetit Oral

Dita Botërore e Shëndetit Oral festohet çdo vit më 20 Mars me iniciativën e Federatës Botërore të Stomatologjisë (FDI), në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit oral dhe rëndësinë e tij në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme të çdo individi. Këtë vit, Federata Botërore e Stomatologjisë me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Oral, shpalosi moton trevjeçare (2024 – 2026), “NJË GOJË E LUMTUR ËSHTË… NJË TRUP I LUMTUR”, me qëllim që njerëzit të motivohen që të vlerësojnë dhe kujdesen për shëndetin oral të tyre, e me këtë të mbrojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre të përgjithshme.

Rëndësia e shëndetit oral Shëndeti oral si pjesë e shëndetit të përgjithshëm fizik dhe mendor është një faktor i rëndësishëm në cilësinë e jetës të çdo individi, pavarësisht nga mosha. Shëndeti oral është i shumëanshëm sepse ndikon në aftësinë për të folur, buzëqeshur, shijuar, prekur, përtypur, gëlltitur dhe përcjellë një sërë emocionesh përmes shprehjeve të fytyrës me besim, pa dhimbje dhe shqetësim. Shëndeti i mirë oral është gjithashtu thelbësor për plakjen e shëndetshme, duke luajtur një rol kyç në të ushqyerit, punësimit, vetëvlerësimit dhe ndërveprimit të vazhdueshëm social.