Marrëveshje Bashkëpunimi me Shoqatën e Stomatologëve të Turqisë (TDB)
Me ftesë të kryetarit të Shoqatës së Stomatologëve të Turqisë Dr. Tarık İşmen, kryetari i OSK-së Prof. Dr. Blerim Kamberi ka qëndruar në Stamboll të Turqisë prej 8-10 shtator, ku mori pjesë në Kongresin e 26 të Stomatologjisë të organizuar nga TDB-ja.
Në një nga ambientet ku u mbajt kongresi u realizua takimi zyrtar i dy kryetarëve, në të cilën kryetari i OSK-së fillimisht e falenderoi kryetarin e TDB-së për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë dhe njëherit e njoftoi shkurtimisht për punën, të arriturat dhe sfidat e OSK-së gjatë këtyre viteve. Kryetari İşmen u zotua se OSK do ta ketë mbështetjen e plotë profesionale e shkencore dhe për çështjet tjera, e në veçanti në mbështetjen ndërkombëtare të OSK-së.
Në fund të takimit, dy kryetarët nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit për të vazhduar bashkëpunimin ekzistues profesional e shkencor të stomatologjisë kosovare dhe asaj turke, i cili ekziston përgjatë shumë viteve.
Me këtë Marrëveshje, ndër të tjerash palët u dakorduan që të promovojnë dhe të mbështesin organizimin e ngjarjeve profesionale e shkencore dhe të shkëmbejnë informacione dhe materiale në ato fusha që janë me interes të ndërsjellë për palët.
Në kuadër të kësaj vizite kryetari mori pjesë në takimin e përbashkët të kryetarëve të Odave dhe Shoqatave të Stomatologëve nga 21 vendet e ndryshme në kuadër të Platformës së Bashkëpunimit të delegacioneve, organizuar nga TDB-ja. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e gjërë midis vendeve në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor, në mënyrë që kjo platformë bashkëpunimi të përfshihet më shumë në jetën profesionale të stomatologëve. Në këtë takim u formua grupi punues për edukim dhe kërkime shkencore, pjesë e të cilit është edhe kryetari i OSK-së.