Në Tiranë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Odës së Stomatologëve të Kosovës dhe Fakultetit të Mjekësisë Dentare-Tiranë

Sot, me dt. 12 Shkurt 2021 në Tiranë, Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës  Prof. Dr. Blerim Kamberi dhe nënkryetari Dr.sc. Ali Gashi u pritën nga Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Dentare Prof. Asoc. Edit Xhajanka. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe shumë miqësore në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë Dentare në Tiranë.

Palët shprehën vullnetin dhe mirëkuptimin për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të domosdoshëm për rritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të performancës profesionale të stomatologëve nëpërmjet formave të ndryshme të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional.

Po ashtu, ata u dakorduan për të shkëmbyer informacione dhe materiale në ato fusha që janë me interes të përbashkët, si dhe shkëmbimin e pedagogëve për mbajtjen e ligjëratave në kuadër të aktiviteteve të EVP.

Në fund të takimit  u nënshkrua edhe marrëveshja e përbashkët e bashkëpunimit.