REAGIM PUBLIK

Oda e Stomatologëve të Kosovës me shqetësim ka përcjellë kronikat mediale të paraqitura gjatë ditëve të fundit të drejtuar ndaj anëtarit tonë.

E njoftojmë opinionin publik se Oda e Stomatologëve të Kosovës nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga ana e pacientes në lidhje me rastin e paraqitur në media dhe se pretendimet  e shfaqura  kanë qenë subjekt i kontrollit të sistemit të drejtësisë, ku me  dt. 12/10/2021 është nxjerrë aktvendim nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë me të cilin kallëzimi penal ndaj anëtarit tonë është hedhur poshtë në mungesë të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprave për të cilat është paraqitur kallëzimi penal si “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, “Mosdhënie e ndihmës mjekësore”, “Ngacmimi seksual”.

Oda  e Stomatologëve të Kosovës fton të gjithë pacientët që rastet e ankesave ndaj shërbimeve stomatologjike të ofruara nga stomatologët të paraqiten pranë organeve etike te OSK-se brenda afateve të parapara ligjore mbi bazën e dëshmive përkatëse për të cilat paraqiten pretendimet e palës.

Oda e Stomatologëve të Kosovës