U mbajt tryeza “Shëndeti Oral, të arriturat dhe sfidat”

Dje, me datë 16 prill 2024 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës nën patronatin e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale u mbajt tryeza “Shëndeti Oral, të arriturat dhe sfidat”. Në këtë takim morën pjesë Dr. Vitia, Ministër i Shëndetësisë, Prof. Dr. Blerim Kamberi, kryetar i OSK-së si dhe udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve publike dhe private të stomatologjisë, ku u diskutua për gjendjen e shëndetit oral në vendin tonë, arritjet e deritanishme dhe sfidat për të ardhmen.

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e promovimit të programeve parandaluese të sëmundjeve orale, nevojën për përmirësimin e infrastrukturës stomatologjike dhe për të përmirësuar aksesin në kujdesin stomatologjik publik për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Prof. Dr. Blerim Kamberi para të pranishmëve prezantoi dokumentin mbi strategjinë e zhvillimit të stomatologjisë të cilin dokument OSK e ka hartuar në vitin 2022. Në këtë dokument është analizuar në mënyrë të përmbledhur e të qartë situata aktuale në sektorin e stomatologjisë në Republikën e Kosovës dhe strategjinë e qartë për të adresuar problemet dhe për të përmirësuar shëndetin oral të popullatës së Kosovës.

Kryetari në këtë takim ngriti edhe shqetësimin e një pjese të komunitetit tonë të sektorit privat, i cili po ballafaqohet me probleme serioze në fazën e rilicencimit të ordinancave private stomatologjike. Për këtë Ministri Vitia u zotua se do të merret me zgjidhjen e këtij problemi.