Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes OSK-së dhe Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
Sot, me datë 05 qershor 2023 në Dekanatin e FM, Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës Prof. Dr.Blerim Kamberi dhe nënkryetari Prof.Ass.Dr Ali Gashi u pritën nga dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Prof.Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, prodekanja Prof.Ass.Dr. Zana Sllamniku-Dalipi dhe Shefi i Degës së Stomatologjisë Prof.Asoc.Dr. Fatmir Dragidella.
Në këtë takim u bisedua për çështjet që janë në interesin e përbashkët, për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të domosdoshëm për rritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të performancës profesionale të stomatologëve nëpërmjet formave të ndryshme të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional.
Në këtë takim u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit e cila ndër të tjerash parasheh që OSK merr përsipër angazhimin për të njohur dhe për të akredituar format e ndryshme të aktiviteteve në kuadër të EVP, e që Fakulteti i Mjekësisë organizon dhe është bartës i tyre. Poashtu palët u zotuan për projekte kërkimore të përbashkëta.si dhe në botime të përbashkëta profesionale/shkencore në Revistën e Stomatologëve të Kosovës.