Promovimi i Revistës së Stomatologëve të Kosovës (RSK)

Më 7 qershor 2022, në Prishtinë, u bë promovimi i RSK-së, në prani të shumë personaliteteve nga stomatologjia e mjekësia, si dhe shumë të ftuar të tjerë, ndër ta kryetari i Odës së Stomatologëve të Maqedonisë Veriore Dr. Denkovski.dhe Dr. Mirlind Selimi, kryetar i Bordit Ekzekutiv.

Fjalën e hapjes e mbajti Prof. Dr. Blerim Kamberi, Kryetari i OSK-së i cili theksoi ndër të tjerash se kjo ka qenë një ëndërr e kahmotshme dhe falenderoi autorët e artikujve të parë të RSK-së, të cilët me shkrimet e tyre mundësuan shndërrimin e idesë në një vepër që do të ruhet dhe rritet nga gjeneratat e ardhshme.

Më pas, fjalën e mori kryeredaktori i RSK-së Dr. Kastriot Meqa, i cili theksoi se dalja e RSK-së është me vlerë dhe e rëndësisë së veçant jo vetëm për publikimin e punimeve shkencore e profesionale, por edhe për përcjelljen koherente të të arriturave shkencore në fushën e stomatologjisë. RSK-ja do të kontribuojë edhe në edukimin shëndetësor të pacientëve tonë përmes shtojcave të përshtatshme për ta.

Në lidhje me rëndësinë e botimit të kësaj reviste foli Prof.Dr. Agim Begzati , i cili theksoi se me daljen e revistës po krijohet mundësia e shkëlqyeshme që të kemi njohje me ndryshimet e reja në fushën e stomatologjisë, promovim të kontributeve profesionale, njohje me botime të reja si dhe ndërlidhje  brendashqiptare, rajonale dhe më gjerë.

Përveç promovimit të botimit të RSK-së, u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së dekoratës: “NDERI I STOMATOLOGJISE KOSOVARE” për:

1. Prof.Dr. Beqir Lupçi
2. Prof.Dr. Rifat Ymeri (post mortem)
3. Prof.Dr. Qamile Jaka (post mortem)
4. Prof.Dr. Jashar Dula (post mortem)
5. Prof.Dr. Adil Raka
6. Prof.Dr. Hasan Mehmeti
7. Prof.Dr. Agim Islami
8. Prof.Dr. Osman Sejfija
9. Prof.Dr. Veton Hoxha

Me motivacion: “Në shenjë vlerësimi të lartë për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e stomatologjisë kosovare”.