Sot shënohet Dita e Stomatologut dhe Dita Botërore e Shëndetit Oral në gjithë botën
Sot shënohet Dita e Stomatologut dhe Dita Botërore e Shëndetit Oral në gjithë botën. Edhe OSK si anëtare e Federatës Botërore të Stomatologjisë (FDI) i bashkohet kësaj dite nën sloganin “Bëhu krenarë për gojën tuaj”, që synon të tregojë se si një gojë e pashëndetshme mund të ndikojë seriozisht në çdo aspekt të jetës, si emocional, social, mirëqenien mendore dhe në gjendjen e përgjithshme fizike.
Shëndeti oral si pjesë përbërëse e shëndetit të përgjithshëm është shumë më tepër se dhëmbë të shëndetshëm dhe një buzëqeshje e bukur, dhe qëllimi i kësaj dite është për të promovuar zhvillimin dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit oral dhe rëndësinë e tij në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm të popullatës.
Për të ruajtur shëndetin oral, higjiena e rregullt dhe korrekte e gojës, ushqimi i duhur dhe kontrollet e rregullta janë të nevojshme për të gjitha grupmoshat e popullatës, veçanërisht për moshat e reja.
Oda e Stomatologëve të Kosovës në vitin 2022 ka hartuar Strategjinë e zhvillimit të Stomatologjisë në vendin tonë. Në këtë dokument është analizuar në mënyrë të përmbledhur e të qartë situata aktuale në sektorin e stomatologjisë në Republikën e Kosovës dhe është shprehur vizioni për reformimin e tij, të bazuar në modelet e përvojat e suksesshme të vendeve të ndryshme.
Gëzuar festën profesionale për të gjithë ju!
Le të mbahet me nder titulli stomatolog!