Përmirësimi i shëndetit parodontal dhe higjienës së gojës mund të ndihmojnë në kontrollin e pandemisë COVID-19
u tha nga Prof. David Herrera, autori i punimit lidhur me këtë çështje.
Ai në një bisedë me FDI foli në lidhje me artikullin “A është zgavra e gojës e rëndësishme në pandeminë SARS-CoV-2?” për këndvështrimin e tij mbi lidhjen midis zgavrës së gojës dhe COVID-19.
Në pyetjen se cilat janë konsideratat kryesore për sa i përket zgavrës së gojës kur flasim për infeksionin dhe transmetimin e COVID-19, ai u përgjigj se:
Goja është konsideruar si një element mjaft i rëndësishëm në transmetimin dhe patogjenizmin e SARS-CoV-2. Së pari, goja është një nga pikat e hyrjes së virusit në trup. Së dyti, në 10 ditët e para, një pacient i infektuar zakonisht mbetet asimptomatik, por shumë transmetues. Gjatë kësaj kohe, virusi grumbullohet në mukozën e hundës, gojës dhe faringut dhe vetëm më vonë do të grumbullohet më tej në mushkëri.
Receptorët e enzimës së konvertimit të angiotenzinës – 2 (ACE2) në mukozat orale janë demonstruar të jenë mjaft të numërt, veçanërisht në mukozën e gjuhës. Për më tepër, numri i receptorëve ACE2 në gjëndrat e pështymës është më i lartë se në mushkëri, kështu që ata mund të jenë një zonë rezervuari për SARS-CoV-2 në pacientët asimptomatikë. Më në fund, pikat / aerosolet e pështymës përfaqësojnë rrugën më të rëndësishme të transmetimit të virusit.
Kështu, zgavra e gojës përfaqëson një nga pikat e hyrjes për virusin, i cili më pas mund të kolonizohet lehtësisht për shkak të disponueshmërisë së receptorëve ACE2. Për më tepër, goja mund të jetë një nga rezervuarët më të rëndësishëm të virusit dhe burimi i përsosur i transmetimit të virusit përmes pështymës.
Në pyetjen se a mund të luajnë një rol shpërlarësit e gojës në zvogëlimin e ngarkesës virale orale dhe rrezikun e transmetimit të COVID-19, ai u përgjigj se:
Ndikimi i trajtimeve orale në nivelet e SARS-CoV-2 në zgavrën e gojës mund të konsiderohet si shumë i rëndësishëm dhe roli më i rëndësishëm i është dhënë shpëlarësve të gojës me veprim virucidal. Një zvogëlim i ngarkesës virale orale mund të shoqërohet me një sasi të reduktuar të virusit të transmetuar nga bartësi dhe një rrezik më të vogël të transmetimit, si dhe një ashpërsi më të ulët të sëmundjes.
Në këtë punim ai ka propozuar një hipotezë që sugjeron se parodontopatia mund të rrisë rrezikun e një forme më e rëndë të COVID-19. Besueshmëria biologjike që qëndron pas kësaj përfshin praninë e faktorëve të rrezikut (p.sh duhani) dhe sëmundjet shoqëruese (p.sh. diabeti), inflamacionin sistemik të shoqëruar me parodontopatinë dhe një përgjigje imunitare të parregulluar te pacientët me parodontopati.